Aktuale

Gjykata Komerciale ka marrë aktvendimin për pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), për pesë kompani të tjera për dalje në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Lajmi është bërë i ditur nga Oda Ekonomike e Kosovës, e cila theksoi se këto kompani kanë ushtruar padi individuale ndaj vendimit të ZRrE-së, duke ndjekur rrugën ligjore të paraparë nga legjislacioni aktual.
“Siç kemi theksuar edhe më herët, legjislacioni në fuqi nuk parasheh padi grupore ose kolektive, andaj vetëm paditë individuale janë duke u trajtuar dhe pranuar nga gjykata. Këto pesë kompani kanë fituar të drejtën e tyre ligjore përmes këtij mekanizmi,” thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike.
Në reagimin e saj, OEK i bën thirrje ZRrE-së që të anulojë vendimin për detyrimin e bizneseve të kalojnë në tregun e lirë të energjisë, duke paralajmëruar se një qasje e tillë mund të dëmtojë konkurrencën, të rëndojë barrën financiare për bizneset dhe qytetarët, si dhe të godasë ekonominë e vendit. /ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM